Drita Çomo lindi në Tiranë, më 1958. Në nëntor të vitit 1960, në moshën dy-vjeçare, internohet për shkak të dënimit politik të nënës së saj, Liri Belishovës. Babai i saj, Maqo Çomo, u dënua dhe ridënua nga regjimi komunist. Një pjesë të fëmijërisë dhe të adoleshencës Drita e kaloi e internuar në Kuç të Vlorës, më pas në Progonat të Kurveleshit. Së fundi e internojnë në Cërrik, ku edhe mbaroi shkollën e mesme, por për arsye të sëmundjes së pashërueshme si dhe të një keqdashjeje politike, u pengua në mbrojtjen e maturës. Sëmundja avancoi dhe, më 19.02.1981, në moshë fare të re, vdes në spitalin onkologjik të Tiranës. Në momentet tragjike të ditëve të fundit të jetës nuk iu lejua të kishte pranë as nënën, dhe deri në grahmat e vdekjes ajo mbeti e vetme.