
Më e mundimshme është të ndërtohet një labirint apo të dilet prej tij? Labirinte ndërtojnë të gjithë, por pakkush arrin të dalë nga labirinti ku ka hyrë apo ku e ka çuar rrugëtimi i jetës. Kjo është dilema që fshihet ndër rreshta. Ky libër është një labirint, por nuk dihet nëse është ndërtuar nga autori për personazhet, apo e kundërta, një xhungël e ndërtuar nga personazhet për autorin dhe për vetë lexuesin. Në romanin "Zanafilla", pas një leximi të vëmendshëm, lexuesi do të ketë një rrugëtim sa të vërtetë aq dhe të ëndërrt, sa të qartë aq edhe të ndërlikuar, një ndërthurje e pafund ngjarjesh, historish, kohësh, rrëfimesh..., kureshtar për rrugëdaljen e personazheve, apo të zbulojë formulat dhe fytyrën e zanafillës. Është më e dhimbshme të përndiqesh nga e kaluara, apo ta harrosh atë, të ndërrosh emër, vendndodhje. fytyrë, i bindur se kështu ke ndryshuar edhe të shkuarën tënde, zanafillën tënde? Sërish është e vështirë të përgjigjesh. Në këtë roman çështjet e identitetit, rrethanat njerëzore, fati, problemet sociale, çështje personale të pashpjegueshme dhe ngjarje deri në kufijtë e magjikes, të lidhura ngushtësisht me metaforën e zanafillës, mbajnë mbi vete peshën e kohës dhe zvetënimin e brendshëm njerëzor.