Më 27 janar të vitit 1922 Franz Kafka shkon, së bashku me doktorin që e kuron për sëmundjen e tuberkulozit, e cila i është shfaqur qysh më 1917, në Spindelmühle në masivin malor midis Çekisë dhe Polonisë. Prej shtatorit 1920 nuk është marrë më me krijimtari letrare, tani që në ditët e para të vendosjes në hotelin Krone fillon të shkruajë një roman të ri, të tretin në radhë pas “I humburi” (Amerika) dhe “Procesi”. Spindelmühle është sikurse fshati i “Kështjellës” i mbuluar me dëborë, por për të tjerat ky vend i zhvilluar turistik pak i ngjan fshatit të humbur, të mbyllur e arkaik të romanit. Pas një qëndrimi trijavor Kafka kthehet në Pragë dhe kërkon zgjatje të lejes nga Shoqëria e sigurimeve të aksidenteve në punë, e më pas, duke qenë që shëndeti vazhdon të përkeqësohet, dalje në pension të parakohshëm. Nga 23 qershori deri më 18 shtator shkrimtari qëndron tek e motra Ottla në qytetin e vogël Planá të Bohemisë, ku vazhdon punën intensive me romanin, të cilën megjithatë e ndërpret aty nga fundi i muajit gusht. Në një letër të fillimit të shtatorit i shkruan mikut të tij Max Brod: “m’u desh ta ndërpres me sa duket përgjithmonë historinë e kështjellës, nuk isha më në gjendje ta rifilloja prej “krizës” që nisi një javë përpara udhëtimit për në Pragë, megjithëse pjesa e shkruar në Planá nuk është dhe aq e keqe sa ajo që e njeh ti”. Ndër tri romanet që la dorëshkrim Kafka, “Kështjella” është më i gjati. Romani u botua më 1926, por jo në tërësinë e tij, pasi Max Brodi duke dashur “të japë përshtypjen e një vepre të plotë”, e ndërpriste historinë aty ku Frida e lë përfundimisht K.-në - pra në këtë botim mungonin episodet e Byrgelit, të shpërndarjes së dosjeve, biseda mes Pepit e K.-së etj.. Më 1951, në botimin e tretë, Brodi e jep veprën të plotë, duke pasë ndërhyrë vetëm në disa fjalë dialektore ose të vjetruara e në çështje të pikësimit. Vetëm më 1982 me daljen e botimit të plotë kritik të veprës së Kafkës (dorëshkrimi i “Kështjellës”, 6 fletore të formatit kuart, ruhet bashkë me të tjera dorëshkrime të Kafkës në Bodleian Library të Oxfordit), u bë i mundur edhe një riprodhim i saktë i “Kështjellës” që respektonte deri dhe pikësimin e autorit e sidomos ndarjen e mbititullimin ose numërimin e kapitujve përbërës. Natyrisht nuk jepeshin pjesët të cilave autori u kishte hequr vizë; kështu p.sh. ka qenë i ndryshëm fillimi, vepra nga kapitulli 1-3 ishte nisur në vetën e parë etj.. Përkthimi shqip mbështetet mbi variantin përfundimtar që del prej botimit kritik të origjinalit. Janë të shumta interpretimet që i janë bërë “Kështjellës” nga këndvështrime letrare, psikologjike, psikanalitike, teologjike, hebraike etj., po kaq të shumta edhe alegoritë e simbolet që i mvishen figurës së Kështjellës.